Thursday, June 6, 2013

Inter, prezantohet trajneri Mazzarri

Inter, prezantohet trajneri Mazzarri Walter Mazzarri prezantohet si trajneri i ri i Interit në një konferencë shtypi që zgjati rreth një orë dhe menjëherë tekniku italian vuri pikat mbi i: “Sukseset nisin nga puna dhe sakrificat. Mua më pëlqen të marr përsipër të gjitha përgjegjësitë. Jam gati dhe i motivuar për aventurën time të re tek Interi.”

“Në futbollin e sotëm duhet të jesh i përgatitur fizikisht dhe mendërisht e për këtë arsye unë e konsideroj stërvitjen të shenjtë. Ai që mungon në stërvitje duhet të ketë një arsye shumë të fortë”, theksoi gjatë prezantimit të tij ish-tekniku i Napolit.

Mazzarri shpjegoi edhe pse ka zgjedhur zikaltërit: “Më pëlqeu gjithçka nga ky klub dhe u ndjeva menjëherë i gatshëm për sfidën e re.”

Më tej, ai nënvizoi se çfarë kërkon nga Interi i tij: “Me historinë që ka, ky klub duhet të jetë gjithmonë kompetitiv. Dua një skuadër që të mos dorëzohet kurrë dhe të luftojë me të gjithë. Nëpërmjet lojës së mirë do të vijnë edhe rezultatet. Duhet të humbim sa më pak ndeshje dhe të dominojmë takimet që luajmë brenda.”

/ Top Channel

SHIKO VIDEON DUKE KLIKUAR ME POSHTE