Në Kaliforni nisi punimet samiti 2-ditor
mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Dy presidentët, Barack Obama dhe Xi
Jinping në fjalën e hapjes së punimeve folën për nevojën e një epoke të
re në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Presidenti Obama ceku ato
që ai i quajti “zonat e tensionit”, si rivaliteti në Paqësor, programi
bërthamor i Koresë së Veriut dhe spiunazhi kibernetik. Ky është takimi i
parë mes Obamës dhe Xi Jinping që nga kohë kur ky i fundit mori detyrën
e presidentit të Kinës.
Ekspertët vlerësojnë se takimi
informal në kompleksin Rancho Mirage është një mundësi e mirë për dy
ekonomitë më të mëdha të botës për të rindërtuar një raport bashkëpunimi
më të thellë, pavarësisht ndasive të mëdha në disa qendrime.
“Vendimi ynë për t’u takuar kaq shpejt (referuar marrjes së detyrës
nga Xi Jinping) tregon rëndësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të
Bashkuara dhe Kinës”, tha presidenti Obama.
Kreu i Shtëpisë
së Bardhë tha se Uashingtoni mirëpret rritjen paqësore të Kinës, por se
dëshironte një ekonomi globale ku të gjitha kombet të luanin me të
njëjtat rregulla.
Obama u ndal edhe tek siguria
kibernetike. Disa herë Uashingtoni ka akuzuar Pekinin për sulme
kibernetike të organizuara dhe drejtuara nga qeveria kineze ndaj
institucioneve dhe dosjeve sekrete amerikane. “Sigurisht që ka
mosmarrëveshje mes dy vendeve, por ne bëmë thirrje për një bashkëpunim
në fushën e sigurisë kibernetike”, tha Obama.
Nga ana e
tij, presidenti kinez tha se takimi me homologun amerikan synonte hapjen
e një kapitulli të ri të marrëdhënieve Kinë-SHBA dhe hedhjen e
themeleve për një raport të qendrueshëm të tyre.
“Hapësira e Oqeanit Paqësor del e tepron edhe për dy vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Kina”, tha Xi Jinping.
Nisja e punimeve të samitit u shoqërua me protesta të grupeve dhe
aktivistëve të të drejtave të njeriut që i bënë thirrje presidentit
Obama që t’i kërkojë homologut kinez lirimin e 16 të burgosurve të
profilit të lartë, mes të cilëve edhe Liu Xiaobo, fitues i cmimit Nobel
për Paqe në vitin 2010.
/ Top Channel
Saturday, June 8, 2013
Kapitull i ri në marrëdhëniet SHBA-Kinë
Posted by TopFilma.Net on 6:30 PM