Sunday, June 9, 2013

Vettel, pole në Montreal

Në Montreal Sebastian Vettel ka shënuar polin e tretë rresht, ndërsa Lewis Hamilton, që këtu ka fituar tre herë, do të niset përkrah tij në rreshtin e parë.

“Ferrari”, që nuk e merr polin prej pothuajse një viti, nuk ka arritur më shumë se sa vendin e gjashtë, vetëm për spanjollin Fernando Alonso.

Provat zyrtare të zhvilluara pasditen e së shtunës kanë qenë shumë luftarake dhe spektakolare, me dalje të vazhdueshme nga cirkuiti.

Hamilton ka qenë shumë pranë dhurimit të polit të pestë skuderisë së tij, por një gabim i vogël në sektorin e fundit i hoqi një të dhjetat e kohës dhe kënaqësinë për t’u nisur përpara të gjithëve.

Veridkti i së shtunës në shiun dhe të ftohtin e Kanadasë nuk habit më. Surpriza e vërtetë ka qenë Valeri Bottas, i cili është konsideruar si debutuesi i ri më i mirë, në vendin e tretë me “Williams”, përpara Rosberg, i katërti, dhe Webber i pesti.

“Ishte shumë e vështirë. Kushtet e motit ndryshonin vazhdimisht dhe unë me Lewis ishim shumë pranë. Tani jam optimist për garën pasi me provat hodhëm një hap vendimtar përpara”, ka deklaruar Vettel.

Ndërkohë, “kokëkuqet” nuk janë në lartësinë e duhur, sidomos sepse shfaqen më pak konkurruese se kundërshtarët nën shi.

Fernando Alonso është ndalur vetëm në vendin e gjashtë. Në tentativën e dytë nuk ka arritur të përmirësohet dhe ka mbetur një sekondë mbrapa kryesuesit të polit.

Ndërsa për Felipe Massa gjërat kanë shkuar edhe më keq. Në sesionin e dytë, teksa përpiqej të shtynte në maksimum në kthesat 3 dhe 4 ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar duke u përplasur me barrierat. / Top Channel

SHIKO VIDEON DUKE KLIKUAR ME POSHTE