Sunday, June 9, 2013

Onkologjiku nën hetim

                       


Me një urdhër të dytë të Gjykatës Penale, Prokuroria e kryeqytetit ka rihapur   hetimet për rastin e një 25-vjeçareje, të cilën mjekët e diagnostikuan për tumor pasi i thanë se i kishte mbetur edhe një vit jetë, në një kohë që pacientja nuk vuante nga kjo sëmundje.

Jeta e Sonila Neços ndryshoi drejtim në çastet kur një gjëndërr në trup iu identifikua nga mjekët e spitalit civil në kryeqytet si tumor, ndërkohë që pas kimioterapisë vajza pësoi dëmtime të rënda. Nëpërmjet familjes, Sonila Neço iu drejtua Prokurorisë që të hetojë mjekët, por organi i akuzës i pushoi hetimet.

Atëherë, Sonila Neço iu drejtua Gjykatës Penale të Tiranës dhe në vitin 2011 gjykata urdhëron organin e hetimit që ta riçelë dosjen. Megjithëse prokurorët i vlerësuan veprimet e mjekëve në trajtimin e pacientes si gabim mjekësor, ata shtuan se kjo ka ndodhur për shkak të metodave të përdorura në Spitalin Onkologjik në Tiranë. Për pasojë dosja u mbyll derisa 25-vjeçarja iu drejtua sërish Gjykatës Penale që të urdhërojë Prokurinë që të gjejë nëse mjekët janë apo jo përgjegjës dhe a ka mjekim të pakujdesshëm.

Avokati i Sonila Neços tregon për Top Channel: “Mjekët ngulin këmbë që mjekimi ka qenë i gabuar, por jo deri në atë shkallë sa të jenë shkaktuar kaq shumë dëmtime e sa të shkojë në çështje penale.”

Aktualisht, sipas urdhërit të Gjykatës, Prokuroria duhet t’i japë përgjigje pyetjeve: a ka mjekim të pakujdesshëm në rastin e Sonila Neços dhe cilët janë elementët e tij; cili është dallimi mes gabimit mjekësor dhe mjekimit të pakujdesshëm, pyet gjykata, krahasuar me veprimet e tyre me protokollin mjekësor; a është e rrezikshme për jetën kimio-terapia dhe rrezatimi terapeutik dhe a ka raste kur personat humbasin jetën nga ky trajtim.

“Do e çojmë deri në fund këtë çështje. Kemi përgatitur edhe një kërkesë-padi për dëmshpërblim”, thotë avokati i 25-vjeçares.

/ Top Channel

SHIKO VIDEON DUKE KLIKUAR ME POSHTE