Sunday, June 9, 2013

F1, gara e Kanadasë, Vettel optimist

Kryesuesi i renditjes së Botërorit të Formulës 1, Sebastian Vettel, u tregua shumë i kënaqur për vendin e parë të siguruar në nisjen e Çmimit të Madh të Montrealit, në Kanada.

”Ishte shumë e vështirë të dije se në çfarë gjendje ishte çdo kthesë, me ujin që ishte në pistë. Në çdo kthesë ishte një gjendje e ndryshme, diku pista më e lagur, diku më e thatë, ndaj vendosja e xhiros më të shpejtë ishte një sfidë e vërtetë”, deklaroi Vettel.

I pyetur për shanset e tij për të fituar garën, kampioni i trefishtë i botës u tregua i kujdesshëm: “Është e vështirë të bësh parashikime. Në këtë moment besojmë se gara do të zhvillohet në të thatë, gjithsesi jam i inkurajuar nga fakti se makina është konkurruese në të gjithë kushtet”.

Sipas Vettel, vendimtare për këtë takim do të jetë mënyra se si skuadrat do të administrojnë gomat.

”Strategjia e gomave do të jetë përcaktuese në Kanada. Për ne është më e thjeshtë, pasi jemi të përgatitur si për kushte të thata, ashtu edhe për shi, por në çdo rast do të jetë një garë shumë intereante”, komentoi Vettel.
/ Top Channel

SHIKO VIDEON DUKE KLIKUAR ME POSHTE